Tuesday 12 May 2009

Clirim Ceka: Të rebelohesh me portretin e diktatorit





Suzana Varvarica Kuka

Disa herë dëgjon se artistët, e natyrisht ndërmjet tyre dhe piktorët, kthehen për të qëndruar disa kohë në Shqipëri. Ndon jë herë jo më thjesht vetëm, për të mbaruar problemet e tyre a për të takuar prindërit, të afërmit a miqtë, por dhe për të hapur ekspozita o për të shitur veprat e tyre të kohëve të shkuara e të reja. Disa kthehen ashtu thjesht, disa pa zë të lartë, të tjerë të zhurmshëm, dikush si i madh e ndonjë me mllefe. Disa priten me lavde e të realizuar, të mbështetur nga pushteti dhe miqtë, disa kalojnë pa u vënë re, modest në mesin e miqve të ndonjë galerie private.

Në ditët e mesit të shkurtit takimi me Angjelina Cekën, e lidhur shpirtërisht me botimin e librit dhe e apasionuar me pikturën, më bëri të njihesha nga afër me një grup pikturash të Çlirim Cekës, të sapo bëra pronë e saj. Nxitova t‘i shoh pasi më tha se ishin vepra të krijimtarisë së para viteve ‘90 dhe bashkëbisedimi i mëtejshëm bëri të mundur që të takoja piktorin Ceka. Njohja me një sasi të konsiderueshme të veprave të tij më shtyu të rrëfej diçka më shumë rreth Çlirim Cekës, kalvarit të jetës dhe veprës së tij. Arsyeja lidhet tërësisht me bëmat që ndodhnin në vitet ‘70, një prej të cilave e përfshiu piktorin dhe i shkatërroi familjen e parë.

Kur e pashë më ofroi një imazh tjetër e të ndryshëm, pasi kisha më shumë se 20 vite që nuk e shihja. Pas viteve ‘90, rreth tij, është shprehur pak ose aspak. Vitet ‘70 janë plot ngjarje, por dokumentacioni arkivor i GKA ruan shumë pak informacione rreth tij. Kjo është shkaktuar pasi informacioni më i plotë mund të gjendet në shkresat e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Institucion tashmë i humbur.

Shkurtimisht pak të dhëna rreth tij na bëjnë të ditur se piktori u lind dhe u rrit në Elbasan, në vitin 1945, në mesin e familjes Ceka. Një familje e madhe dhe e njohur, ku përfshihen burra të shkolluar dhe gra të përkushtuara e të edukuara sipas traditave shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit XX e më parë. Ai mësoi në Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë, deri më 1962 dhe më pas përfundoi Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë në 1967. U edukua në të vetmen shkollë arti të realizmit socialist. Menjëherë u përfshi në mjedise të lakmueshme dhe elitare të kohës, duke punuar në qendër të Tiranës, fillimisht si specialist figurativ në shtëpinë e vetme botuese “Naim Frashëri” dhe deri në vitin 1975 pedagog në Institutin e Lartë të Arteve. Fati e desh të martohej me bijën e Dashnor Mamaqit, anëtar i nomenklaturës së lartë komuniste, sekretar i komitetit të partisë së Tiranës, që mbulonte mbarëvajtjen e punës në ideologji, kulturë, manifestime dhe art.


1975-1985 punoi si punëtor e shkrues parullash në ndërmarrjen artistike “Migjeni”. Sot, një ndërmarrje e humbur. Duke i bërë pyetjen pse, ai thotë se: “Në vitin 1974, ish vjehrrin tim z. Dashnor Mamaqi e kishin izoluar me arrest shtëpie. Duke besuar në pafajësinë e tij ai dëshironte që të shikonte atmosferën e festive të 28-29 nëntorit të po atij viti. Po këtë mendim kisha dhe unë, aspak nuk dyshoja se ishte një armik i partisë së tij, i vendit të tij dhe mbi të gjitha i Enver Hoxhës, pasi jo vetëm ai por të gjithë bashkëpunëtorët e vet e adhuronin. E gjithë familja e tyre përbëhej nga persona të sinqertë dhe isha i bindur se Dashnori nuk kishte bërë asgjë. Prandaj vendosa ta shoqëroj në xhiron që bëri nëpër sheshin e Tiranës në ato dy ditë. Kjo shkaktoi persekutimin tim. Pastaj si mund të dyshoja në atë burrë, i cili pranoi të merrte një dhëndër me cene në biografi. I thanë se isha nip i Selim Cekës, intelektual i viteve `40, me edukim anglez, kokëfortë, adhurues i filozofisë Schopenhauer-iane, i kundërt me filozofitë komuniste, i burgosur dhe i deklasuar”. Ceka në dukje është i qetë dhe i sjellshëm kur flet, nuk pasqyron asnjë çast mllefi apo ngritje zëri. Ai duket sikur është indiferent, por nuk është aspak e vërtetë, pasi gjendja e tij psikologjike tregon rreth një situate të brendshme që e ruan në thellësi të ndërgjegjes së vet, si një e tillë që do ta ndjekë për të gjithë jetën. Ndjehet se është një ngjarje që i takon vetëm atij dhe askujt tjetër.

Shtëpia e llojit parafabrikat është kthyer në studio, ku ruan vepra të cilat i ka pikturuar që nga koha kur ka mbaruar shkollën e deri në vitet e fundit në Selanik, ku jeton, që nga viti 1998, me dy djemtë dhe gruan e dytë Biku Vaqarin. Ai thotë se: “Vetëm martesa me Bikun më ndryshoi statusin dhe më dha të drejtën të rifilloja jetën e një piktori që mund të ekspozoja dhe të punësohesha si pedagog në Liceun Artistik”.

Çlirimi vazhdoi të flasë për Sonjën, ish gruan e tij dhe për të dy vajzat, të cilat kishin vuajtur si dy fëmijë të përsekutuar në kampet e punës në Tepelenë. Dhe kur shkuan atje Sonja ishte një grua shumë e re dhe vajzat ishin 5 vjeç dhe 9 muajsh. E pyeta përse ju nuk ishit me to dhe ai më tha se: “Sonja më kuptoi pasi ishte një grua shumë e mirë. Ne në “heshtje” bëmë një marrëveshje që do të thoshte ndarje nga njëri-tjetri. Ajo e kuptoi që unë nuk duhej të dënohesha”.


Ai nuk dëshiron të flasë shumë për këtë dhe unë nuk kam aspak kërshëri që të më rrëfej më shumë, por ndjeu të më thotë se: “Shpesh herë e mendoj gjatë jetën time dhe kuptoj se qëndrimi im i ndarë nga Sonja dhe vajzat ka shërbyer të paktën për mirë dhe vetëm për vajzat tona, pasi me punën që bëja dhe ekspozimin e herë pas hershëm pata mundësi t`iu dërgoja para dhe t`i merrja e t`i dërgoja në Elbasan tek nëna dhe njerëzit e mi. Në spitalin e Elbasanit shpëtova jetën e vajzës së vogël, e cila u sëmur shumë rëndë sapo arriti në kamp. Dhe ato bënë shkollën atje”.

I tregova Çlirimit një dokument ku janë të regjistruara 23 punime të tij, të cilat ruhen në fondin e GKA. Ato janë të regjistruara në arkivën e saj. Nuk e kuptova nëse u çudit, u befasua, apo i erdhi mirë. Pasi jeta e vështirë dhe e tërhequr e ka bërë të mos i shprehë ndjesitë e tij hapur ose me maskë, siç rëndom ndodh me njerëz që jeta iu ka shkuar vaj e mjaltë. E pa dokumentin dhe ndoqi vitet, të cilat nisin me titullin “Punëtorët” 1968 dhe mbarojnë “Kompozim” 1994. Me këtë dokument kupton se ai ka punuar dhe ekspozuar edhe pse vazhdimisht i kanë kujtuar cenin e tij në biografi dhe e pyes se si ka qenë e mundur kjo dhe më thotë duke marrë frymë dhe paksa i prekur: (gjë të cilën kur e kujtoj tani që shkruaj them se po të kisha qenë ndonjë mik i tij burrë ai do të kishte ngritur zërin si burri burrit) “Edhe pse në kësi rastesh qëndrimi dhe largimi i shokëve të vret në shpirt, dy prej tyre Mithat Çaudari dhe Qemal Podgorica nuk më lanë kurrë vetëm. Ata vinin në studio ku punoja. A beson se më kanë bërë 100 pyetje, kolegët e mi pedagogë, para se të me jepnin motivacionin e përjashtimit nga ‘gjiri’ i tyre? Nuk harroj as një prej pyetjeve dhe personat që mi drejtonin. Nuk harroj sesi z. Faslli Luarasi, sekretar i partisë më ka thërritur disa herë në mëngjes në zyrën e tij e më terrorizonte duke më kërkuar informacion për shtëpinë ku isha dhëndër. I thosha gjithmonë se nuk kam parë asgjë që nuk shkon. Në mbledhje kam përplas grushtin mbi tavolinë, kur dëgjova për herë të parë pallavrat e tyre për degjenerim dhe imoralitetin e Dashnorit dhe të Shpresës. Ishin inskenime policeske dhe politike, të rënda, të ndyra, për të poshtëruar dhe dënuar një familje të tërë. Ata ia arritën qëllimit dhe mua më dhanë motivacionin se isha i papjekur politikisht dhe ideologjikisht dhe duhet të edukohesha në gjirin e klasës punëtore”.

Vazhdoi të tregonte veprat e tij dhe krejt rastësisht duke u përpjekur të vendosë një vepër ballas vështrimit tim dhe të Linës unë pashë se ishte e pikturuar nga prapa. Dhe për çudi m’u vizionua një si trup i Hoxhës dhe i thashë ta kthejë prapa. Nuk isha gabuar. Portreti i diktatorit ishte shuar nga përdorimi i disa njollave dhe dallohej kompozimi i figurës së tij, silueta e kokës dhe komunikimi me një grup pionierësh. E pyes po përse e ke fshirë Çlirim dhe më thotë se: “Ka qenë një porosi e komanduar nga drejtoria e ndërmarrjes artistike “Migjeni”, pasi do të vinte Enver Hoxha të vizitonte një ekspozitë të prodhimeve të saj. Kam bërë dy variante dhe të them të drejtën nuk mbaj mend, ku është tjetri. Ishte një pikturë e bërë me imponim dhe unë isha i detyruar, isha punëtor asokohe. Por në fillim të demokracisë fillova ta fshija portretin e tij, nuk doja ta shihja, por më pas e pash në këtë gjendje dhe pikturova pas. Shkaku ishte një lloj revolte, por kuptova që nuk ia vlente për asgjë. Ajo që kishte ndodhur kishte ndodhur”.


E pyeta edhe më. Ai përgjigjej shkurt dhe thjesht. Por tha shumë si: “Piktura në diktaturë ishte e imponuar. Këtë e kuptonin të gjithë. Por disa punuan të bindur dhe më dëshirë, nuk përpiqeshin aspak të ndryshonin. Disa nuk donin të pikturonin dhe e lanë fare. Disa pikturuan duke rrezikuar, por arritën të mbijetonin. Kishte të përkëdhelur të sistemit. Kishte egoizëm, smirë dhe keqadashje. Kishte spiunime. Me udhëzim partie u ngritën komisionet dhe kontrollet punëtore nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve. Kur një piktori i hiqej një punë nga ekspozita ishte një tmerr. Nuk e zinte gjumi nga dënimi ideologjik, por dhe nga humbja financiare. Kur ajo ekspozohej çdo piktor e dinte se do të kishte mundësi të merrte ca para dhe të mbyllte një vrimë të shtëpisë. Mua më duhej të pikturoja, pasi duhej të mbaja dy vajzat, por edhe të tregohesha i kujdesshëm si një i bindur, që po edukohej. E kam filluar krijimtarinë pas shkollës me grafikën. Diploma shpresoj të jetë në fondin e Akademisë së sotme të Arteve. Tema e saj ishte puna në uzinën e traktorëve në Tiranë. Atëherë punohej dhe ekspozohej shumë. Kishte krijimtari të pasur dhe aktive, por krejtësisht ideologjike dhe të imponuar. Kishte censurë dhe autocensurë. Këto dy fenomene e kanë dëmtuar jashtë mase krijimtarinë time, të cilën isha i detyruar ta kryeja për arsyet që ju thashë. Sot jam piktor plotësisht i pavarur. Jam anëtar i një shoqate artistësh, SKETBE (Shoqata e artistëve figurativë të Greqisë së Veriut), ku bëjnë pjesë artistë grekë, rusë, holandezë, indianë. Ekspozojmë së bashku. Jam i kënaqur, familja më kupton dëshirën për të pikturuar dhe këtë ma kanë lejuar, pra nuk më kanë detyruar të bëj punë të rënda në Selanik. Jam munduar ta ndihmoj atë duke pikturuar. I jam mirënjohës”.


Një vështrim i përgjithshëm mbi krijimtarinë e tij tregon se ajo ka tri forma shprehjeje. Forma e parë është vizion i realizmit socialist, i cili zgjat deri në vitet ‘90, ku duhet përfshirë dhe një krijimtari e pakët e viteve të para të periudhës së atyre ‘70, por që ka tentuar të sjellë një pamje të elementëve formal modernist, e cila u shua menjëherë. Një nga shembujt është vepra që ruhet vetëm në foto. Ka qenë porosi për Kuvendin Popullor, me temë nga aksioni dhe puna e rinisë. Ai tregon se: “Këtë vepër e kam realizuar njëkohësisht kur Edi Hila krijoi veprën ‘Mbjellja e pemëve’ dhe i kemi ekspozuar në të njëjtën kohë. Vepra ime u hoq nga ekspozita dhe e Edit mbeti në fondin e GKA. Mendoj se është shumë mirë për pasurinë e saj”. Forma e dytë është përpjekja e formës ekspresive figurative, ku në një zonë të dydimensionalit shfaqen vijat dhe njollat gjeometrike. Dhe kjo formë zhvillohet për rreth dhjetë vite, pas atyre ‘90. Ndërsa forma e tretë i takon plotësisht një arti të njollave dhe linjave të ashpra gjeometrike, ku zhduket figura e njeriut dhe ajo e sendeve. Ato mbështeten në sipërfaqe me njollë të plotë të një ngjyre neutrale. Kjo formë u shfaq e sigurt në tregun e artit në Greqi, vendin ku ai jeton dhe punon.


Këto forma shprehjesh tregojnë se Ceka ka provuar dhe ndryshuar shumë për të gjetur veten brenda artit të vet. Por cilësia e tij më e theksuar është linja e fortë, me nerv të brendshëm e vizatuese, që ndan një objekt nga një tjetër, që cilëson një send nga një tjetër, që përkufizon një njollë ngjyre nga një tjetër. Ajo shërben jo vetëm të cilësojë, por edhe të sillet si grafikim i sipërfaqeve, të cilat i japin shans çdo kujt të kuptojë se ndjesia grafike e piktorit është edukuar dhe përdoret vazhdimisht edhe në mënyrë intuitive. Kjo ka nisur që në kohën më të hershme të krijimtarisë së tij. Ndërsa ngjyra, objekti emocional shprehet e ndryshme në varësi të dy periudhave, të dy gjendjeve dhe të dy opinioneve të tij. Ai ka piktura me ngjyra krejt të ftohta dhe të errëta, të cilat ideologjikisht lidhen me temat e kërkuara, me gjendjen e tij të frikësuar e të kujdesshme gjatë diktaturës. Ai ka piktura të ndjera, me ngjyra të ngrohta, të nxehta, kontrastuese dhe tradicionale, që pasqyrojnë atë çka sheh dhe ndjen, të cilat lidhen me modelin dhe natyrën, që pikturohen drejtpërsëdrejti.

0 comments:

Post a Comment

  © Blogger templates The Professional Template by Ourblogtemplates.com 2008

Back to TOP